Zilja e derës bie pikërisht kur Sofia dhe mamaja e saj janë ulur për të pirë çaj. Kush mund të jetë vallë? Ajo që sigurisht nuk e presnin ta shihnin në derë. Një tigër i madh leshator, me vija!
Kjo histori e ngrohtë dhe plot humor sugjerohet të lexohet me zë të lartë nga prindërit për fëmijët. Por edhe fëmijët e vegjël mund ta lexojnë vetë, përsëri dhe përsëri.
Botuar për herë të parë në vitin 1968 dhe i ribotuar vazhdimisht që atëherë, libri është shndërruar në një klasik të përjetshëm, i dashur nga breza të tërë fëmijësh.
Magjia fillon në kohën e çajit!
“Tigri që erdhi për çaj” i Judith Kerr vijon të jetë bestseller i Sunday Times.
Judith Kerr lindi në Berlin, e bija e një shkrimtari të njohur gjerman. Në vitin 1933, ajo u largua nga Gjermania naziste së bashku me familjen e saj dhe u vendose përfundimisht në Angli.
Vite më vonë, ajo shkroi për përvojat e saj në romanin bestseller për lexuesit e moshës shkollore 9+ “Kur Hitleri grabiti arushin e trëndafiltë”. Ajo është gjithashtu autore dhe ilustruese e shumë librave me ilustrime për fëmijë, përfshirë “Tigri që erdhi për çaj”, i botuar për herë të parë në vitin 1968 dhe që prej atëherë ka shitur më shumë se një milion kopje në mbarë botën.
Në vitin 2012 Judith-it iu dha Urdhri i Perandorisë Britanike për kontributin e saj në letërsinë për fëmijë dhe për edukimin mbi holokaustin. Vdiq në Londër më 22 maj 2019, në moshën 96-vjeçare.