Spiun, agjent i dyfishtë, magjepsës dhe tradhtar, Kim Filbi nxori sekretet më të mëdha të operacioneve anglo-amerikane në vitet e para të Luftës së Ftohtë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Kim Filbi, Nikolas Elioti dhe Xhejms Xhisus Angëlton ishin yje në ngjitje të botës informative, dhe shokë të ngushtë.
Të tre këta spiunë ishin pjesë e klubeve të njëjta, pinin në të njëjtat bare, vishnin të njëjtat kostume të prera sipas masës së trupit dhe flisnin me të njëjtin aksent të shoqërisë së lartë. Filbi dhe Elioti ishin “djemtë e artë” të MI6-ës, Shërbimit Sekret Informativ të Britanisë; Angëltoni ishte shefi brilant i ri në moshë i Kundërzbulimit në CIA. Ata për vite me radhë ndanë çdo sekret me njëri-tjetrin.
Por Filbi kishte një sekret tjetër që nuk e tregonte: ai kishte punuar gjithnjë fshehurazi për Moskën, duke iu dhënë padronëve të tij të Spiunazhit Sovjetik gjithçka, gjë që pati pasoja të përgjakshme. Elioti dhe Angëltoni mendonin se e njihnin Filbin më mirë se kushdo tjetër, por pastaj do të zbulonin se nuk e kishin njohur fare.
Kjo është historia e besimit dhe tradhtisë, klasës dhe ndërgjegjes; e një beteje ideologjike midis miqsh e shokësh, të zhvilluar me politesë jashtëzakonisht të madhe, por pa mëshirë, në klubet dhe restorantet komode të Londrës dhe Uashingtonit; e një miqësisë të farkëtuar mes burrash e pastaj të tradhtuar në mënyrë sistematike.
E treguar në bazë të dosjeve të porsahapura të MI5-ës dhe të dokumenteve familjare të pazbuluara më parë, libri “Spiun mes shokësh” është historia e një mashtrimi monumental, që përcaktoi betejën e spiunazhit gjatë Luftës ë Ftohtë dhe dërgoi qindra veta drejt vdekjes. Jeta mahnitëse e Kim Filbit, dezertorit britanik dhe urithit sovjetik më famëkeq në histori, është një rrëfenjë e besnikërisë politike dhe dyfaqësisë personale; e një ekzaminimi të tmerrshëm se deri ku arrin ta njohësh tjetrin në të vërtetë.
Ben Macintyre është shkrimtar, historian dhe gazetar britanik, i njohur veçanërisht për librat e tij mbi spiunazhin, luftërat dhe historinë politike të shek. XX. Disa nga librat e tij, si Agent Zigzag, Operation Mincemeat, A spy Friends, SAS dhe Spiuni dhe tradhtari janë shitur në miliona kopje. Mënyra se si e ndërthur ngjarjen historike me rrëfimin letrar ka tërhequr lexuesit e tij. Ai punon për gazetën britanike The Times, si edhe si korrespondent mediash në Nju-Jork, Paris dhe në Uashington.