Anjeza Brauni është një grua e fortë – mjaft e fortë për t’u përballur me vejërinë, shtatë fëmijët, apartamentin me qira dhe rraskapitjen e përditshme me tezgën e saj në rrugën “Moore”.
Anjeza gjen gjithmonë një mënyrë për t’ia dalë mbanë. Herë pas here, ajo arrin të shkëputet nga rrëmuja familjare për të shkëmbyer thashetheme dhe batuta me shoqen e saj të ngushtë, Marion Monks. Madje, jeta i rezervon edhe një surprizë romantike, kur një francez simpatik, pronar i picerisë së lagjes, fillon të shfaqë interes për të.
Por edhe gruas më të fortë i lipset pak ndihmë dhe një ëndërr për t’i dhënë forcë të vazhdojë...
Dialogët e gjallë e të natyrshëm, humori i mprehtë dhe personazhet e paharrueshëm sjellin për lexuesit një histori plot ngjarje. Ky roman sjell me mjeshtëri energjinë, çiltërsinë dhe shpirtin sfidues të klasës punëtore irlandeze.
Një histori e dashur dhe plot ngjarje, e sjellë edhe në ekranin e madh, në një film me protagoniste Anjelica Huston.
Trilogjia vijon me librin “Vagabondët e Anjezës”
Brendan O’Carroll u lind në qytetin e Dublinit, më 1955. Është dramaturg i shquar dhe humorist i shkëlqyer. Shfaqja e famshme radiofonike “Djemtë e znj. Braun”, që mban autorësinë e tij, është nga më populloret në Irlandë. Ai është autor i trilogjisë Anjeza Brauni, libri i tij i parë “Mami” është bërë film, ku luan aktorja Anjelica Huston. Libri i i tij i dytë është “Vagabondët e Anjezës” dhe i treti, “Brenga e zonjës Braun”. Të tre këta libra prej shumë vitesh qëndrojnë në krye të listës të librave më të shitur në botë.