Udhëzues për fëmijë: si të mposhtin ankthin e ndarjes
Pilotët e balonave me ajër të ngrohtë përjetojnë aventura të mrekullueshme: ata shohin gjëra që nuk i kanë parë kurrë më parë dhe mësojnë shumë rreth botës që na rrethon.
Fluturimi me balonë disa fëmijëve mund t’u duket diçka e mrekullueshme, ndërsa disa të tjerëve mund t’u ngjallë frikë të fluturojnë vetëm, larg prindërve dhe shtëpisë. Nëse ndihesh i frikësuar kur bën diçka pa prindërit e tu, ky libër është për ty!
Udhëzuesi Ç’të bësh kur nuk do të rrish vetëm i udhëheq fëmijët dhe prindërit e tyre përmes emocioneve që shoqërojnë ankthin e ndarjes, duke përdorur strategji dhe teknika të bazuara në parimet konjitive-sjellore. Ky libër vetëndihmës interaktiv është burim gjithëpërfshirës për edukimin, për motivimin dhe për fuqizimin e fëmijëve për të kapërcyer ankthin e ndarjes – në mënyrë që të bëhen pilotë me besim te vetja të balonave të tyre me ajër të ngrohtë!
KRISTEN LAVALLEE, Ph.D., është psikologe shkollore dhe zhvillimi, ka punuar në SHBA dhe në Zvicër. Ajo është bashkautore e studimeve empirike të një kapitulli në një libër për trajtimin e ankthit të ndarjes, si dhe është menaxhere botimi e revistës shkencore European Psychologist. Ajo jeton me familjen e saj në Providence, RI.
SILVIA SCHNEIDER, Dr. Shkenc. Nat., mban titullin “Profesore në psikologjinë klinike për fëmijë”, në Universitetin e Ruhr-Bochum në Gjermani. Ajo ka kryer studime të ndryshme mbi ankthin e ndarjes te fëmijët (SAD), si dhe është autore e manualit të trajtimit të SAD-it në gjermanisht.
Janet McDonnell është autore dhe ilustruese amerikane, e njohur për punën e saj në librat për fëmijë. Me një përvojë të gjatë në fushën e edukimit, ajo ndërthur ndjeshmërinë ndaj botës së fëmijëve me krijimtarinë artistike, duke ilustruar libra që trajtojnë emocione, marrëdhënie dhe sfida të përditshme të fëmijërisë.