Udhëzues për fëmijë: si të mposhtin negativitetin
E dije se jeta është si një garë me pengesa?! Të fal shumë emocione dhe shumë kënaqësi, por të vë para edhe mjaft pengesa për t’i kapërcyer. Nëse je nga ata fëmijë që këto pengesa të ndrydhin dhe nuk të lejojnë të shijosh gëzimet e jetës, atëherë ky libër është për ty.
Ç’të bësh kur ankohesh së tepërmi i udhëheq fëmijët dhe prindërit e tyre përmes teknikave konjitive-sjellore të përdorura në trajtimin e të menduarit negativ. Metaforat dhe ilustrimet e bukura i ndihmojnë fëmijët t’i shohin pengesat e jetës në një formë të re, ndërkohë që vizatimi dhe shkrimi i aktiviteteve i ndihmon ata të zotërojnë aftësitë për t’i kapërcyer këto pengesa. Udhëzimet hap pas hapi tregojnë rrugën drejt të qenit fëmijë më të lumtur dhe më pozitivë. Ky libër interaktiv vetëndihmës është një burim tërësor për edukimin, motivimin, dhe fuqizimin e fëmijëve për të punuar drejt ndryshimit.
Dawn Huebner PH.D. është psikologe klinike në Exeter, New Hampshire, e specializuar në trajtimin e fëmijëve dhe prindërve të tyre. Udhëzuesit “Ç’të bësh kur…” – shpjegojnë koncepte komplekse psikologjike përmes metaforave, gjuhës së thjeshtë dhe humorit që fëmijët mund t’i kuptojnë lehtësisht.
Të gjithë librat e Dr. Huebner pasqyrojnë filozofinë e saj se fëmijët mund dhe duhet të mësohen të ndihmojnë veten, dhe se ata janë të aftë të kapërcejnë edhe sfida që në fillim duken të pakapërcyeshme.
Arti i plot ngjyra dhe stil të këndshëm i Bonnie Matthews shfaqet në shumë libra dhe revista për fëmijë. Ajo jeton në Baltimore.