“A e ke menduar ndonjëherë si funksionon trupi yt? Dua të them, me të vërtetë, jo sa për të kaluar radhën. Jam i sigurt se ti nuk e duron dot kur vret gishtin e madh të këmbës apo kur të dhemb veshi, kur të ka kapur ndonjë virus stomakun dhe ndihesh sikur vërtetë do ta nxjerrësh jashtë me zorrë, me tru e me mushkëri, por… a e di ti se ç’ndodh në të vërtetë aty brenda? Do të të shpjegoj pse sëmuret trupi yt. Ashtu siç mund të prishet një kompjuter kur ti përditëson një aplikacion, edhe trupi yt është një lloj pajisje e cila mund të prishet herë pas here. Do të të tregoj me saktësi se çfarë do të thotë të kesh sëmundje të atilla që ti apo shokët e tu mund të jetojnë me to pa ndonjë problem. Duke folur për këto, do të prekim edhe disa nga ndryshimet që pëson trupi yt gjatë rrugës për të të përgatitur për moshën madhore. Puberteti është pak a shumë si të shndërrohesh në një person krejtësisht të ri që duket si një version i shtrydhur dhe i zgjatur i yti, kështu që unë jo vetëm do të t’i shpjegoj të gjitha këto, por do të flas edhe për ndjenjat me të cilat mund të kesh të bësh.”
Ky libër u jep përgjigje të gjitha atyre pyetjeve të rëndësishme, si: A janë të padëmshme qurrat e thata për t’i ngrënë? Sa kohë nga jeta jote harxhon ti në tualet? Ç’janë ato krijesa të neveritshme që jetojnë në qerpikët tanë? Kështu që ulu, çlodhu, vish një palë doreza gome dhe eja të më shoqërosh në një udhëtim në brendësi të trupit tënd.
Pra, nëse je gati të mësosh gjëra që nuk mund t’i dish, dhe të pajisesh me fakte që, megjithëse janë të pabesueshme, ndoshta nuk është mirë t’i zësh në gojë gjatë ngrënies së ushqimit, atëherë ky është libri i duhur për ty.
Një udhërrëfyes i plotë më informacione të domodoshme për trupin e njeriut.
Adam Kay, për t’ua shpjeguar fëmijëve dhe adoleshentëve në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme, ka ndërthurur informacionin shkencor me ilustrime dhe humor.
Libri i parë gazmor nga autori më i shitur dhe jo trillues në Mbretërinë e Bashkuar.
Adam Kay është skenarist, komedian, mjek. Fillimet e karrierës së tij ka punuar si mjek e më pas ka vijuar të zhvillojë pasionet e tij në krijimtari. Adam Kay është veçanërisht i njohur për aftësinë për ta bërë shkencën dhe mjekësinë të kuptueshme dhe argëtuese, edhe për lexuesit e rinj. Ai kombinon njohuritë mjekësore me humorin, historitë personale dhe shpjegimet e thjeshta.
Fillimisht u bë i njohur sidomos me librin Një rrëfim lëndues, një bestseller ndërkombëtar i bazuar në përvojat e tij si mjek, e më pas me Anatominë e Keit dhe disa botime të tjera mjaft të vlerësuara.
Henry Paker është ilustrues, shkrimtar dhe komedian britanik, i vlerësuar për humorin dhe stilin e tij të veçantë në ilustrim. Që në fëmijëri ishte i apasionuar pas vizatimeve dhe skicave humoristike, të cilat i krijonte në faqet e librave. Sot, ai i shndërron këto vizatime plot fantazi dhe humor në ilustrime që u japin librave jetë plot ngjyra.
Henry Paker ka ilustruar të gjithë librat për fëmijë të autorit Adam Kay.