botart

Info: Your browser does not accept cookies. To put products into your cart and purchase them you need to enable cookies.
PDFPrintE-mail
Viktor HygoZotni Qelbashi

Yjet e gjeneraleve
View Full-Size Image


Yjet e gjeneraleve

Price per Unit (piece): Call for Pricing

Ask a question about this product

Përmbledhja studimore për personalitetet e shquara të kombit shqiptar në fushën e historisë ushtarake vjen si një domosdoshmëri për të ndihmuar brezat në edukimin atdhetar dhe ushtarak. Figurat e përzgjedhura në këtë botim vijnë me historitë e tyre të spikatura që nga periudha e shpalljes së Pavarësisë dhe krijimi i Shtetit Shqiptar e deri te luftërat e shekullit të 20-të, për të mbrojtur lirinë dhe integritetin territorial. Në planin e gjerë historik, përzgjedhja e tyre përkon me kronologjinë e luftërave të pandërprera të popullit shqiptar, duke nxjerrë në krye prijës të spikatur, që artin e luftës e përvetësuan në shkollën e madhe të traditës së atdhetarizmit dhe të ndjenjës së thellë liridashëse. Heroizmi dhe madhështia e këtyre figurave ushtarake i ka rrënjët në shpirtin luftarak të popullit shqiptar, i cili në çdo ngjarje historike ka nxjerrë nga gjiri i tij prijës popullorë, udhëheqës e strategë të mëdhenj ushtarakë, të cilët qëndrojnë në lartësinë e personaliteteve të shquara të popujve të tjerë, shumë herë edhe më të mëdhenj se populli ynë. Shpesh është thënë se vetëm kombet e mëdha e me një stad të lartë emancipimi nxjerrin personalitete, dhe sikur vetëm ata i japin botës figura të shquara. Por historia botërore na mëson se ka vende, qofshin këto edhe të vogla, që janë shfaqur si të barabarta me kombet me personalitete të spikatura. Si një botim përfaqësues, për një ndër popujt e vegjël, por me material njerëzor të racës sonë e të krenarisë kombëtare, libri i autorit Vangjel Kasapi përcjell vlerat e personaliteteve me angazhim të spikatur në strukturat shtetërore ushtarake dhe me kontribut të pamohueshëm në historinë e vendit. Natyrisht që në formimin dhe edukimin e këtyre figurave me veprimtari të dukshme ka ndikuar edhe përfshirja e hapësirës shqiptare në zhvillimet madhore të epokës moderne të shekujve XX-XXI në Ballkan, Europë e në Lindjen e Afërt. Me vizionin, intuitën dhe interpretimin objektiv që vëmë re në këtë botim autori vjen në përfundimin se heroizmi nuk lind nga sasia numerike e një populli, por nga madhështia e ndjenjës patriotike, nga ideali që e frymëzon aktin dhe veprën e madhe. Ky kolazh biografik ushtarak vjen si botim i një lloji të veçantë, pasi në të trajtohen figurat apo personalitetet ushtarake, duke filluar nga viti 1912 e deri në ditët e sotme. Në këtë libër, autori i një seri botimesh monografike ka pasur parasysh edhe shembujt analogë të kësaj natyre në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, ShBA-së dhe vendeve të tjera. Fatmirësisht, nën “hijëzat” e tyre janë gjetur edhe personalitete shqiptare, të cilat kanë lënë gjurmë të dukshme në historinë e Artit Ushtarak Botëror. Porse nuk është lënë në harresë edhe përvoja e botimeve të këtij zhanri në vendin tonë. Këtë monografi të natyrës enciklopedike, shtëpia botuese Botart e pa si të domosdoshme për lexuesin, me të vetmin qëllim për të nxjerrë nga anonimati mjaft figura ushtarakësh, të shquar jo vetëm në kapërcyellin e historisë së luftërave, por edhe në kontributin e tyre si qytetarë të këtij vendi në të gjitha rrafshet e jetës politike-shoqërore. Libri me trajtesë studimore-shkencore plotëson kërkesat e metodave bashkëkohore të përzgjedhjes, e cila më parë ka pasur një vështrim të kufizuar për ushtarakët e i ka trajtuar ata duke i paragjykuar në këndvështrime partiake dhe ideologjike. Kjo dukuri vërehet edhe në faqet e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Tiranë, 1985), ku personalitetet ushtarake numërohen me gishtat e dorës. Në ndërmarrjen e tanishme kemi sjellë personalitete të vërteta, pavarësisht nga niveli i trajtimit në kohën kur ato vepruan. Gjykimi i vendosjes së tyre niset qartas nga rrethanat kur jetuan dhe misioni që plotësuan. Njëkohësisht, përmes këtij botimi lexuesit i jepet mundësia të njohë edhe historinë e Ushtrisë Shqiptare nga dita e formimit – më 4 dhjetor 1912 – deri më sot, përmes figurave njerëzore dhe kronologjisë së ngjarjeve ushtarake, të cilat përbëjnë vlera në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Sepse gjeneralët shqiptarë i përkasin fondit të pasur dhe plejadave të gjeneralisimit europian. Secilin personazh, historishkruesi na e paraqet nëpërmjet jetëshkrimit të shkurtër, shoqëruar, atje ku është e mundur, edhe me ndonjë fakt, ngjarje apo model. Vendosja e tyre bëhet sipas rendit kohor, ndërsa përzgjedhja mbi bazën e kritereve, të cilat janë gurët kilometrikë në trasenë e këtij rrugëtimi historik. Në këto kritere rroken drejtuesit kryesorë ushtarakë, por edhe jo ushtarakë që kanë pasur role dhe funksione drejtuese ose udhëheqëse te Forcat e Armatosura Shqiptare, si komandantë të përgjithshëm, ministra Mbrojtje (Lufte) dhe, me përparësi, shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (kryetarët e shtabeve), në tërë harkun kohor të historisë kombëtare mbi 100- vjeçare. Në libër përfshihet shumësia e gjeneralëve dhe e oficerëve madhorë shqiptarë të arsimuar, fillimisht në Turqi, në Europë (Austri, Itali etj.), disi më tepër në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më vonë në shkollat e akademitë ushtarake shqiptare. Ky gërshetim është kushtëzuar nga rrethanat historike të Shqipërisë, nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe nga Lufta e Ftohtë. Në të gjitha nivelet e karrierës ushtarake ata janë vlerësuar për kontributin e tyre në kohë. Këtu evidentohen edhe disa personalitete, që me talentin e tyre të drejtimit të luftës e të shkencës përfaqësohen në nivelin kombëtar, duke vulosur kështu meritën e gradës së gjeneralit. Po ashtu, në këtë botim nuk lihen në heshtje disa nga figurat e formacioneve ushtarake nacionaliste ushtarako-politike drejtuese, pa i kaluar në analizën e veprimtarisë të secilit pozicion politik. Kjo përqasje e paanshme e bën më të plotë përfaqësimin e tërë spektrit politik shqiptar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Botimi pasqyron në faqet e tij krijuesit e parë të armëve dhe të shërbimeve në Ushtrinë Shqiptare pas vitit 1944, përfaqësuesit më në zë të shkencës ushtarake, që me përgatitjen e tyre intelektuale e shkencore merituan tituj të lartë “Profesorë” dhe “Doktorë të shkencave”. Të tilla personalitete ushtarake shqiptare e bëjnë këtë libër edhe më interesant. Janë radhitur gjithashtu komandantët e shkollave ushtarake të të gjitha niveleve, si dhe pedagogët më të shquar të këtyre institucioneve arsimore-shkencore. Autori, dr. shk. Vangjel Kasapi, njohës i tërësisë së trevave shqiptare dhe i kontributeve të elementit më elitar të tyre, është kujdesur me maturi që në këtë botim të përzgjidhen figura nga të gjitha viset dhe krahinat shqiptare, përfshi edhe ata ushtarakë që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e popujve fqinjë, si dhe në historinë ushtarake të vendeve të tjera. Duke trajtuar personalitetin dhe ndihmesën e një figure të caktuar, njëherësh janë evokuar edhe pikat më kulmore të historisë sonë. Monografia nuk mbetet thjesht në planin biografik, por, nëpërmjet betejave dhe operacioneve të zhvilluara, autori operon në taktikën dhe strategjinë e artit ushtarak, nxjerr përfundime që vlejnë për stërvitjen, gatishmërinë, për organizimin dhe drejtimin e formacioneve ushtarake, për komandantët e rangjeve të ndryshme, për armët dhe shërbimet e veçanta. Ky botim na risjell në vëmendje pohimin e profesorit të madh Eqerem Çabej, se shqiptarët, si personalitete të shquara në çdo fushë, në çfarëdolloj kushtesh që ata janë detyruar të jetojnë e të veprojnë, në thelb shfaqin dhe konkretizojnë fuqinë e pashtershme të racës arbërore, e cila “Është një racë që nëpër shekuj ka pasur shkreptima të mëdha prej gjeniu”. Se “edhe në shkencë duhet të kemi fantazi, për të qenë të hapur ndaj tezave që duken të paverifikuara shkencërisht. Në fund, pra, fuqia krijuese e racës, si një katalizator i fuqishëm, potencon pa reshtur, sidomos për një komb si yni me vetëdije të lartë kombëtare, me një fuqi mbijetese të jashtëzakonshme. Gjithë kjo pasuri amplifikohet kur – duke shfletuar historinë e botës, ku gjen 21 qytetërime, të lindur e të zhdukur – ne shqiptarët qëndrojmë krenarë në këmbë, si ndër të rrallët në Europë që nga lashtësia deri më sot”. Vlerat e këtij libri nuk qëndrojnë thjesht në evidentimin e kësaj pasurie të vyer, por edhe te pasqyrimi i rrënjëve historiko-shoqërore, të mbështetura në një traditë kombëtare, në karakterin tonë kombëtar, në vazhdimësi luftërash e përpjekjesh të popullit shqiptar. Në këtë kuptim, prijësit dhe ushtarakët e shquar shqiptarë përbëjnë një unitet shpirtëror e moral me popullin tonë. Duke qenë studiues i mirëfilltë e njohës i mirë i artit ushtarak shqiptar, autori nuk abstragon dhe as fantazon për të idealizuar njërin apo tjetrin. Zbulimi i materialit jetësor, mbledhja dhe përpunimi i tij në të gjitha aspektet e veprimtarisë së tyre, i ka bërë këto personazhe të besueshme e të pranueshme për opinionin; u ka dhënë atyre fytyrë njerëzore midis njerëzve që udhëheqin nëpër luftëra, veçori këto tipike që i takojnë individit drejtues. Kjo natyrshmëri përshkon jetën e personazheve, e cila është e mbushur me larmi veprimtarish në rrafshin historiko-shoqëror. Dr. shk. Vangjel Kasapi, duke përshkruar ngjarje reale, veprimtari konkrete apo ndodhi të veçanta të personaliteteve që ka përfshirë në këtë libër, shumë herë nuk i mëshon përshkrimit formal të tyre. Kështu dallohet qartë që peshën e gravitetit e mbështet te karakteri i personazheve të tij; te morali shoqëror kombëtar; në arsimin dhe kulturën e tyre; në marrëdhëniet historiko-shoqërore, sipas periudhave historike që ka kaluar vendi ynë. Kjo mbështetje shpirtërore, në tërë gjerësinë e saj jetësore, jo vetëm që zbulon vlerat e “heronjve” të librit, por prej saj lind madhështia e tyre si prijës dhe luftëtarë, si ushtarakë e si shokë, si njerëz midis njerëzve të thjeshtë. Në këtë veçori të përmbajtjes së këtij libri harron gjeneralin e kolonelin me grada reale, sepse që të gjithë këta prijës shfaqen si “gjeneralë” që dominojnë në ndjenjën njerëzore të luftëtarëve dhe të popullit. Është një jetë njerëzish që rrjedh përmes luftërash e përballjesh të vështira, e cila, sipas autorit, sintetizon te mbiqëndresa, peshohet nga gjaku dhe sakrificat, nga plagët e dhimbjet e panumërta për një komb si ky yni. Pikërisht, për këto të vërteta historike, flet çdo pjesëmarrës në faqet e këtij libri. Flasin ngjarjet, faktet, ndodhitë e gjithanshme në të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova e deri në Çamëri. Ndaj në libër rrjedh i kulluar patriotizmi shqiptar. Ai është frymëmarrja e tërë jetës së prijësve dhe luftëtarëve shqiptarë, që i dhanë gjak e zemër atdheut tonë në çastet më të rënda të jetës së tij, i dhanë guximin dhe forcën për të mbijetuar dhe për të ecur përpara në rrugën e qytetërimit. Duke u mëshuar vlerave biografike të figurave ushtarake shqiptare, besoj se ky botim nuk synon të krijojë një listë të mbyllur të ushtarakëve që i bëjnë nder Atdheut në rrafshin kombëtar. Kjo do të thotë se duhet një punë më e madhe, për të eksploruar më tej figura të tjera të këtij niveli, që përbëjnë vlerë për shoqërinë shqiptare. Ky botim pra, mund të shërbejë për nisma e thellime të mëtejshme, për të nxjerrë në pah e për të trajtuar edhe personalitete të tjera ushtarake, por për të ndërmarrë edhe studime më të plota në të ardhmen. Së fundmi, dua të shpreh vlerësimet e veçanta për punën cilësore të shtëpisë botuese Botart, në përzgjedhjen e librave të çmuar që evokojnë historinë shqiptare e që pasqyrojnë vlerat atdhetare të kombit tonë. Eqerem Gaxholli Diplomat, përkthyes





Customer Reviews:

There are yet no reviews for this product.
Please log in to write a review.


You are here: Histori